Organizimi i Ushtrisë Nacionalçlirimtare

(Korrik 1043 - maj 1944)

Konferenca e 1 e vendit e PKSH-së (17 - 22 mars 1943) i kushtoi vëmendje të veçantë vënies në jetë të një prej detyrave të strategjisë së Partisë Komuniste, krijimit të UNÇSH-së, si kusht i domosdoshëm për kalimin në kryengritjen e përgjithshme të armatosur. Ndërtimi i një ushtrie të rregullt e të organizuar në shkallë kombëtare, me drejtim të përqendruar, kishte dalë në plan të parë. Për këtë Konferenca orientoi - “Të krijojmë prej njësive partizane e vullnetare Ushtrinë Nacionalçlirimtare të rregullt, e cila do të jetë fuqia e tmerrshme kundër okupatorit dhe garancia e sigurt dhe e fuqishme për çlirimin e popullit.”1)

Në verën e vitit 1943, me përmasat e gjera që kishte marrë Lufta Nacionalçlirimtare, ishin pjekur të gjitha kushtet për zbatimin e kësaj detyre. Forcat partizane ishin rritur së tepërmi. Në formacionet e rregullta ishin rreth 10.000 luftëtarë të organizuar në 22 batalione e në një numër të madh çetash. Jo më pak se 20.000 luftëtarë të tjerë të armatosur përbënin çetat vullnetare territoriale të zonave të lira dhe njësitet guerile të qyteteve e të krahinave të pushtuara. Në zonat e lira si Peza, Kurveleshi, Mesapliku, Mallakastra, Skrapari, Gora, Opari, Shpiragu, Çermenika, Shëngjergji, Martaneshi, Dibra. Tropoja, Mbishkodra, etj., ishte vendosur pushteti politik i këshillave nacionalçlirimtare. Këto zona, që përbënin rreth gjysmën e sipërfaqes së vendit, ishin kthyer në baza të fuqishme e shumë të rëndësishme për mbështetjen dhe zgjerimin e mëtejshëm të Luftës Nacionalçlirimtare. Komiteti Qendror i Partisë, pas një analize dhe vlerësimi që i bëri gjendjes politiko-ushtarake, përpunuan planin dhe morën masat për formimin e Shtabit të Përgjithshëm, si një hap tepër të rëndësishëm për organizimin e ushtrisë së rregullt dhe zgjerimin e Luftës Nacionalçlirimtare.
1) PPSH, dokumente kryesore, vëll. 1, Tiranë, 1971, f. 140