Operacioni për çlirimin e Tiranës

 

parakalim_Tirane  


Operacioni mësymës për çlirimin e Tiranës u përgatit dhe u zhvillua në kuadrin e mësymjes së përgjithshme të UNÇSH-së për çlirimin e plotë të Shqipërisë. Ai ishte vijimi dhe kulmi i mësymjes së përgjithshme.

Çlirimi i kryeqytetit pati rëndësi të madhe politike e ushtarake. Ai kurorëzoi fitoren e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, i shkaktoi humbje të mëdha forcave gjermane dhe vonoi tërheqjen e tyre nga territori Shqiptar. Njësitë e Korparmatës 1 realizuan me sukses detyrën që u ngarkoi Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare.

URDHËR DREJTUAR SHTABIT TË KORPARMATËS 1 PËR
ÇLIRIMIN E TIRANËS

30 Tetor 1944

Shumë urgjent.
Shumë konspirativ.

Duhet me sulmue Tiranën dhe me e marrë me çdo kusht dhe s'duhet me pritë që gjermanët të tërhiqen. Politikisht do të jetë një sukses i madh dhe do të ketë reperkusione të mëdha, si brenda dhe jashtë. Ushtarakisht do të zëmë armë e municion dhe automjete, do të ndalojmë gjermanët të grabitin dhe të djegin. Me këtë sulm partizanët dhe udhëheqësit do të fitojnë besim dhe eksperiencë.

Aksioni mi Tiranën do të bëhet i kombinuar. Janë në lëvizje Brigada VIII dhe X nën komandën e Asaf Dragotit dhe Qazim Kondit, drejtim Pezë. Këto brigada do të afrohen me Divizionin 1 dhe vihen nën komandën e korpusit për këtë aksion.

Janë në lëvizje Brigadat II dhe XX nën komandën e Beqir Ballukut,  drejtim rrugës Librazhd-Elbasan, për të goditur armikun në rrugë mundësisht për të bërë presion mbi Elbasan.

Janë në lëvizje Brigadat XII dhe XI nën komandën e I.R, drejtim Peqin-Kavajë, për të goditur rrugët në atë sektor dhe, në rast nevoje, për të ndihmuar forcat që operojnë mbi Tiranë.

Dita që do të veprohet të na njoftohet më parë, që të lajmërojmë të gjitha forcat të bëjnë presion të madh nga të katër anët.

Mbi Elbasan duhet të bëhet diversion ditën e sulmit mbi Tiranë, duke atakuar qytetin me brigadën që ndodhet në atë sektor¹ dhe, në rast se shihet e mundur marrja e këti qyteti, të sillet me urgjencë një brigadë nga terreni i Dibrës, meqë atje gjendja është e qetë².

Pa marrë parasysh përgatitjen e këtij plani, i cili duhet të zbatohet me çdo mënyrë dhe shpejt, duhet të bëni presionin mbi Tiranën dhe, po të shihni mundësitë e marrjes, veproni pa humbur kohë. Në asnjë mënyrë gjermanët s’duhet të ikin rehat pa luftë.

Gjeneral Hoxha

Sipas telegramit që gjendej në Arkivin Qendror të Partisë.

Botuar për herë të parë në “Dokumente të Shtabit të Përgjithshëm dhe të Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare Shqiptare”, vëllimi 2, Tiranë 1966

¹ Në sektorin e Elbasanit vepronte Brigada XV S , e cila e çliroi qytetin më 11 nëntor 19944
² Në atë kohë gjithë qarku i Dibrës ndodhej në duar të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare.


Përgatitja e operacionit
Mbrotja gjermane
Faza e parë
Faza e dytë
Faza përfundimtare
Beteja e mushqetasë
Çlirimi i Tiranës