Beteja e Mushqetasë

br4_mushqeta

Partizanë të batalionit 1 të Brigadës 4S pas shpartallimit të grupit luftarak
"Steurer" në betejën e Mushqetasë.

 

Grupimi luftarak gjerman që ishte larguar i fundit nga Greqia, me një efektiv prej rreth 7000 veta, u tërhoq nga Elba­sani në dy drejtime:

  • një autokolonë (grupi “Steurer” sipas emrit të komnadantit) me rreth 3000 forca lëvizi në rrugën Elbasan - Tiranë, e ndjekur nga një pjesë e forcave të Brigadës XV
  • autokolona tjetër me efektiv rreth 4000 forca, lëvizi në rrugën: Elba­san - Peqin - Kavajë - Durrës - Vorë e goditur nga forcat e Brigadës XI, XII Sulmuese, në rrugën Peqin - Kavajë.
rruget_terheqje_elb_tir_thumb
Rrugët e tërheqjes së trupave të fundit naziste nga Shqipëria

 

Tërheqja e këtyre forcave gjermane në dy rrugëkalime bëhej me qëllim që të siguronin kushte sa më të mira lëvizjeje, të merrnin me vete garnizonet e vendosura në të dy drejtimet, si dhe tu vinin në ndihmë forcave të rrethuara në Tiranë nga drejti­mi i Qafë - Kërrabës dhe i Vorës.
Autokolona gjermane që tërhiqej në rrugën Elbasan - Tiranë, më 13 nëntor u godit ashpër e befasisht në rajonin e Qafë - Kërrabës nga forcat e Batalionit të 1-rë të Brigadës IV. Armiku nuk mundi të kalonte sektorin e pritës, pësoi humbje dhe për shkak se e zuri nata, u detyrua të ndalej në vend.

Nga vlerësimi i gjendjes u arrit në përfundimin se au­tokolona gjermane që tërhiqej nga Qafë - Kërraba drejt Tiranës, mund të përparonte deri tek ura e Erzenit dhe aty të ndahej në dy pjesë: njëra të lëvizte në grykën e rrjedhës së lumit Erzen, drejt fshatit Picallë, tjetra të vijonte lëvizjen drejt rrugës automobilistike. Autokolona tjetër, pasi të grumbullohej në rajonin e Vorës, me një pjesë të marshonte drejt Tiranës për të goditur nga shpina forcat tona, ndërsa me forcat e tjera të tërhiqej drejt Shkodrës.

Mbrojtja
Ardhja e forcave gjermane në Tiranë rriste numrin e tyre në më­nyrë të konsiderueshme. Për të mos lejuar këtë gjendje, u vendos që me forcat e 10 batalioneve (një batalion i Brigadës I, tre të Brigadës IV, dy të Brigadës VIII dhe katër të Brigadës XVII) të goditej e të asgjësohej autokolona gjermane, që vinte nga Qafë - Kërraba për Tiranë.

  • Ba­talioni 1 Brigadës IV, që vepronte në Qafë - Kërrabë, të godiste më me ashpërsi autokolonën gjermane,
  • Batalioni i 2-të të lëvizte me shpejtësi dhe të organizonte pritë në rajonin e Qafë - Kërrabës, në krahun e dja­thtë të rrugës Tiranë - Elbasan,
  • Batalioni i 4-t të vendosej në pritë në rajonin e katundit Vishaj dhe afër urës së Farkës.
  • Brigada XVII të organizonte pritë në krahun e majtë të rrugës Tiranë - Elbasan, prej Fikasi deri në Ibë,
  • Dy batalione të Brigadës VIII (I, II) të organizonin pritën në kra­hun e djathtë të rrugës Tiranë - Elbasan, në sektorin 1 km në perëndim të urës së Erzenit - Bërzhitë,
  • Batalioni i 1-rë i Brigadës I të organizonte pritën në krahun e majtë të rrugës Tiranë - Elbasan, në sektorin ura e Farkës - ura e Erzenit.
  • Njësitë e tjera të Korparmatës të vijonin goditjet kundër autokolo­nave gjermane në sektorin ku ndodheshin, duke u shkaktuar atyre sa më shumë humbje.
  • Forcat e tjera të Brigadës I, IV, VIII S, gjithsej 7 batalione që mbetën brenda në Tiranë, të vijonin mësymjen në frontin e brend­shëm të operacionit për asgjësimin e forcave gjermane të rrethuara në kryeqytet.
  • Batalioni i 5-të i Brigadës IV u mbajt në rezervë.

 

sek_prites_elb_tir_thumb
Sektori i pritës gjatë rrugës Elbasan – Tiranë

 

Prita
Prita në rajonin e Mushqetasë u organizua në dy kurthe:

  • i pari prej Qafë - Kërrabës e deri te ura e Erzenit (e Peshkatarit) nga 8 batalione me rreth 1500 luftëtarë
  • dhe i dyti prej urës së Erzenit deri te ura e Farkës nga 3 batalione, me rreth 700 luftëtarë.

 

mushqeta_ibe_thumb
Sektori Mushqeta – Ibë

 

berzhite_fikas_thumb
Sektori i Bërzhitë – Fikas

 

petrele_mullet_thumb
Sektori Mullet - Petrelë - Ura e farkës

 

Manovra e forcave u krye me shpejtësi e me fsheh­tësi dhe zgjati rreth 22 orë. Organizimi i luftimeve në pritë u realizua në kohë shumë të shkur­tër, për 1 - 2 orë dhe përfundoi në orën 16 të datës 14 nëntor. Forcat u vendosën të maskuara deri 50 m larg rrugës. Pasdite kreu i autokolonës gjermane arriti te ura e Erzenit, ndërsa fundi në rajonin e Qafë - Kërra­bës. Ajo u fut e tëra në kurthin e parë të pritës, pa diktuar asgjë. Në këtë kohë forcat hapën zjarr të befasishëm me të gjitha llojet e armëve. Lufti­met morën karakter shumë të ashpër. Ato u zhvilluan në largësi të vogla e kryesisht me luftim trup me trup. Në mëngjesin e 15 nëntorit forcat gjermane ndodheshin të rrethuara nga të gjitha anët.

 

mushqeta_aftermath1
Mbeturinat e autokolonës gjermane pas betejës së Mushqetasë.


Gjermanët u hodhën në kundërsulme të egra, të mbështetur nga tanke e autoblinda. Pas përpjekjeve të shumta, kreu i autokolonës armike mundi të kalonte kurthin e parë e të futej në të dytin, ku ra përsëri në zjarrin e forcave tona. Pak forca gjermane (rreth300 veta) u futën në kryeqytet, sepse jo vetëm që çanë me mjete të blinduara, por u ndihmuan edhe nga autoblindat e tanket e ardhura nga Tirana.

 

mushqeta_aftermath
Mbeturinat e autokolonës gjermane pas betejës së Mushqetasë.


Deri në këtë kohë nuk ishte arritur një rezultat aq i madh e me leverdi, siç qe prita e Mushqetasë, ku armikut iu vranë më se 2000 veta, iu kapën 300 robër dhe iu shkatërrua e u kap i gjithë armatimi, teknika luftarake dhe materiali tjetër. Ky sukses u arrit në sajë të marrjes në kohë të të dhënave për lëvizjet e armikut, vlerësimit të shpejtë të gjendjes, marrjes së vendimit të drejtë, vënies në kohë të detyrave luftarake, përqendrimit të një sasie të madhe forcash, manovrës së shpejtë, organizimit të mirë të pritës, shfrytëzimit të terrenit, zhvillimit të luftimeve në largësi të vogla e mbi të gjitha në sajë të moralit të lartë e mjeshtërisë luftarake të luftëtarëve.

Ndërkohë që zhvilloheshin me sukses luftimet në pritën e Mushqetasë autokolona tjetër gjermane, që lëvizte në rrugën Elbasan Rrogozhinë - Durrës - Vorë, u godit dhe u dëmtua rëndë nga forcat e Brigadës XII në Bishqem dhe nga forcat e Brigadës XI në kodrat e Rrogozhinës. Të dyja këto brigada i vazhduan goditjet kundër armikut në tërheqje dhe çliruan qytetet Peqin, Rrogozhinë e Kavajë. Kësaj autokolone dhe forcave të tje­ra gjermane të garnizonit të Durrësit iu shkaktuan humbje të tjera, nga një pjesë e forcave të Brigadës X, të cilat pas luftimesh të ashpra më 16 nëntor çliruan Durrësin e Shijakun.

Asgjësimi pothuajse tërësisht i autokolonës gjermane në Mushqeta dhe dëmet e shumta që iu shkaktuan autokolonës tjetër armike në rrugën Peqin - Durrës - Vorë, i vunë në gjendje tepër kritike forcat gjermane të rrethuara në Tiranë. Ato humbën çdo lloj shprese shpëtimi. Shtabi i Përgjithshëm i Vermahtit, duke vlerësuar gjendjen e këtyre forcave, vinte në dukje se: zhvendosja e pikës së gravitetit nga veriu vo­nohet të paktën dy javë, për shkak të aktivitetit intensiv të bandave ku­ndër lëvizjeve të marshimit dhe evakuimit në zonën e Tiranës.