Batalioni partizan

Batalioni partizan kishte 3 - 4 çeta me rreth 90 - 150 veta dhe organizohej në shkallë krahine. Si rregull, plotësonte detyra të shkallës taktike dhe vepronte brenda qarkut. Batalioneve partizane u viheshin emra të rilindësve, të dëshmorëve etj. Çeta përbëhej nga 3 - 4 skuadra dhe kishte rreth 30 - 40 veta.

Kërkesë e rëndësishme për formacionet e UNÇSH-se, të cilat duhej të bënin manovrime të shumta e të shpejta, ishte që ato të ishin të lehta. Lidhur me këtë, Shtabi i Përgjithshëm porosiste komandat partizane që ta ruanin ketë rregull e t’i pakësonin efektivat e batalioneve që kishin 200 e më shumë veta.

Ndër problemet më të rëndësishme të organizimit ushtarak ishte ndërtimi i organeve të diktimit. Çdo formacion i UNÇSH-së (brigadë, grup, batalion) drejtohej nga komanda ose, siç quhej shpesh, nga shtabi, që përbëhej nga komandanti, komisari politik dhe zëvendësit e tyre. Një grup kishte dhe adjutant, i cili përgjigjej për problemet administrative ushtarake. Komanda vendoste dhe mbante përgjegjësi për të gjitha problemet e rëndësishme politike dhe ushtarake e zbatonte urdhrat e komandës eprore.

Vendosja e funksionit të komisarit dhe e zëvendës komisarit në organet e drejtimit të formacioneve partizane ishte një ndër tiparet me karakter parimor, që e dallonte rrënjësisht Ushtrinë Nacionalçlirimtare nga ushtritë e mëparshme popullore shqiptare, duke i dhënë asaj karakter revolucionar dhe thellësisht popullor. Si përfaqësues të Partisë Komuniste, ata përçonin në ushtri vijën politike dhe ushtarake të saj dhe luanin një rol veçanërisht të rëndësishëm për ta zbatuar atë me vendosmëri, për edukimin ideopolitik të efektivave, për të mbajtur lart frymën moralo-luftarake.

Për organizimin, planëzimin dhe drejtimin e forcave partizane e vullnetare të një qarku ose zone, u krijuan shtabet e grupeve dhe shtabi i qarkut,*) ndërsa në qarkun e Gjirokastrës e të Vlorës u formua një shtab i përbashkët - Shtabi i Zonës 1 Operative. Shtabi i grupit ose i qarkut varej nga Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSH-së dhe nga komitetet qarkore të Partisë Komuniste. Zona Operative varej nga Shtabi i Përgjithshëm dhe bashkëvepronte ngushtë me komitetet qarkore të Partisë ku ajo shtrihej. Në përbërjen e shtabit të grupit, të qarkut ose të Zonës 1 Operative, përveç komandës drejtuese, merrnin pjesë edhe nacionalistë, atdhetarë dhe komandantë e komisarë të dalluar të reparteve partizane të qarkut ose të zonës, të cilët caktoheshin me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH-së.

Rol vendimtar për rritjen dhe forcimin organizativ të UNÇSH-së, për ruajtjen e karakterit revolucionar popullor të saj, për plotësimin me sukses të detyrave luftarake, luanin organet dhe organizatat e Partisë Komuniste. Ja pse ndërtimit organizativ të Partisë në ushtri dhe formimit të jetës se brendshme të saj iu kushtua vëmendje e madhe. “... pa organizatë të Partisë në ushtri, - theksonte Komiteti Qëndror i PKSH-së - ne nuk mund të kemi një ushtri ashtu si e dëshirojmë ne, ushtri që të kryejë misionin e madh dhe delikat.1)

Celulat e Partisë u krijuan edhe në shtabin e batalionit, të grupit e të brigadës. Në batalione u formuan byrotë e Partisë, të cilat përbëheshin nga komisari politik dhe zëvendës komisari i batalionit, sekretarët e organizatave baze (celulave) të kompanive (çetave) dhe përgjegjësi i rinisë i batalionit. Si ndihmës i komisarit politik dhe përgjegjës për punën e organizatave të Partisë, duke kryer funksionin e sekretarit të celulës ose të byrosë së Partisë, u caktua zëvendës komisari politik. Ai mbante lidhje me zëvendës komisarin e brigadës ose me komitetin qarkor të Partisë kur batalioni vepronte i pavarur. Edhe në brigade punën e Partisë e drejtonte zëvendës komisari politik. Më vonë në brigada u ngritën edhe seksionet politike.

Celulat dhe byrotë e Partisë Komuniste ishin në udhëheqje të gjithë jetës dhe veprimtarisë në formacionet e UNÇSH-së. Kjo udhëheqje ishte një faktor me peshë për rritjen e aftësisë së komandave dhe të shtabeve për kryerjen e detyrave që u ishin ngarkuar, për zhvillimin në një shkallë më të lartë të nismës së tyre. Organet e Partisë, komisarët dhe zëvendës komisarët mbanin lidhje të ngushta me organizatat e Partisë dhe me këshillat nacionalçlirimtare në terrenin ku vepronin. Rol të madh në ushtri do të luanin edhe organizatat e Rinisë Komuniste, të cilat kishin organizimin dhe detyrat e tyre të veçanta.

*) “Kur brenda një qarku kishte vetëm një grup, shtabi iqarkut ishte njëkohësisht edhe shtabi i grupit.
1) “PPSH, dokumente kyesore” vëll. 1, Tiranë, 1971 f. 199,