Brigada sulmuese

Sipas karakterit e përpjesëtimeve të Luftës sonë, të mundësive materialo-teknike, të terrenit, të mundësive për përdorimin luftarak e për drejtim, Shtabi i Përgjithshëm si formacionin (njësi) më të përshtatshme për organizimin e UNÇSH-së dhe shndërrimin shkallëzor të saj në ushtri të rregullt, zgjodhi Brigadën Sulmuese.

Brigada sulmuese ishte njësi luftarake operative në dorë të Shtabit të Përgjithshëm. Ajo plotësohej me luftëtarë të zgjedhur nga disa krahina të vendit ose të qarkut, të cilët sipas porosive që jepte Shtabi i Përgjithshëm, duhej të kishin qenë anëtarë të çetave sulmuese dhe territoriale, të vendosur qind për qind për Luftën Nacional çlirimtare, luftëtarë të palodhur dhe trima, të kishin marrë pjesë në aksione dhe të ishin të bindur e të disiplinuar. 1)  

Brigada, si rregull, përbëhej nga 4 batalione, por ndonjëherë ajo kishte 5 ose 3 batalione. Fillimisht brigadat përbëheshin nga rreth 400 - 600 luftëtarë, por me vonë ky numër arriti në rreth 800 -1000.
Batalioni, si rregull, përbëhej nga 3 kompani me rreth 150 - 250 luftëtarë.
Kompania përbehej prej 4 - 5 skuadrave me rreth 50 - 70 luftëtarë.

Forcën sulmuese të brigadës e përbënin luftëtarët e pajisur me pushkë, automatikë dhe me mitraloza të lehtë e të rëndë te modeleve të ndryshme. Në çdo skuadër pushkatare kishte një mitraloz të lehtë dhe në kompani një mitraloz të rëndë. Në përbërje të brigadave sulmuese kishte, zakonisht, nënreparte artilerie të pajisura me mortaja, pushkë kundërtanke ose topa malorë dhe nënreparte të vogla zbulimi, ndërlidhjeje e prapavije.

Si formacioni më i madh gjate fazës së dyte të luftës, brigada kishte force goditëse dhe mëvetësi veprimi. Ajo, duke qenë e përbërë kryesisht prej forcash këmbësore dhe me një sasi të kufizuar artilerie të transportueshme me krahë e me kafshë, ishte e lehtë, e manovrueshme dhe i përshtatej terrenit malor. Këto cilësi në organizim, gjendja moralo-politike dhe aftësitë e partizanëve, i jepnin brigadës mundësi të plotësonte detyra të rëndësishme luftarake edhe pse vepronte me taktikën e luftës partizane. Duke bërë sintezën e fizionomisë së brigadës sulmuese të UNÇSH-së, Enver Hoxha do të orientonte se: “Formimi i brigadave, duhet të jetë preokupacioni me i madh në çështjen ushtarake... Brigada është formacioni i vërtetë i Ushtrisë sonë Popullore, formacion që do të thëthijë pak nga pak gjithë elementët e vendosur të çetave ose të batalioneve sulmuese për me mbërrit kësisoj në një ushtri të vërtetë dhe me shpirt luftarak, ashtu si e duam ne...2)

Zbatimi i planit të Shtabit të Përgjithshëm për organizimin e UNÇSH-së, filloi me formimin e Brigadës 1 Sulmuese me 15 gusht të vitit 1943, në Vithkuq të Korçës. Detyrën e komandantit të Brigadës e mori Mehmet Shehu. Si formacioni i pare i madh i Ushtrisë së rregullt Nacionalçlirimtare, ajo do të shërbente si shembull për njësitë e tjera partizane shqiptare që do të krijoheshin më vonë.

Në vjeshtën e vitit 1943, në vijim të zbatimit të masave për organizimin e UNÇSH-së. u krijuan edhe tre brigada të reja sulmuese (II, III, V). Ky proces vazhdoi pandërprere edhe në muajt e vështirë të luftës e të dimrit të viteve 1943-1944 dhe gjate pranverës se vitit 1944 me krijimin e pesë brigadave të tjera (IV, VI, VII, VIII, XII) dhe me përmirësimet organizative që u bënë në ecurinë e luftës e te rritjes së vetë brigadave, të cilat forcuan kompaktësinë luftarake dhe forcën vepruese.

1) “Dokumente të Shtabit të Përgjithshëm…”, vëll. 1, bot. 2, Tiranë, 1976, f. 75,
2) Enver Hoxha,”Veprat”, vëll. 2, bot.2,Tiranë 1984, f. 115,