Krijimi i Shtabit të Përgjithshëm

Domosdoshmërinë e krijimit të një qëndre organizative, politike dhe operative të të gjitha forcave të armatosura kundërfashiste në Shqipëri e kërkonin si kushtet e brendshme, ashtu dhe rrethanat e jashtme. Në situatën e dhënë lindi nevoja e kalimit nga veprimet taktike në ato operative. Kjo kërkonte përsosjen e organizimit ushtarak, kalimin nga çetat e batalionet në njësi më të mëdha, të drejtuara me plane më të gjera e të bashkërenduara. “Për të luftuar me sukses armikun, për të drejtuar kryengritjen e përgjithshme popullore duheshin organizuar njësi të mëdha ushtarake (brigada e divizione), duhej organizuar medoemos një ushtri kombëtare me një qendër të vetme - Shtabin e Përgjithshëm.”1)

Rëndësia ndërkombëtare e krijimit të Shtabit të Përgjithshëm është se ai do të bënte të mundur që fati i Shqipërisë të zgjidhej me armë nga vetë populli shqiptar. Nga ana tjetër me krijimin e Shtabit të Përgjithshëm do të bashkërendoheshin më mirë e në mënyrë me të plotë lufta e popullit shqiptar me atë të koalicionit antifashist, sidomos me luftën e popujve fqinj të Ballkanit.

Krijimi i Shtabit të Përgjithshëm u shqyrtua dhe u vendos në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar, që u mbajt në Labinot me 4 -10 korrik të vitit 1943 dhe u shpall me 10 korrik të këtij viti. Ai kishte 12 anëtarë. Komandant u zgjodh Major Spiro Moisiu, Komisar Politik Enver Hoxha. Komandanti dhe Komisari Politik përbënin komandën eprore të Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Qenia e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë edhe si Komisar Politik i Shtabit të Përgjithshëm, siguronte udhëheqjen e Partisë Komuniste në UNÇSH, bënte të mundur që çdo veprim ushtarak të udhëhiqej nga vija politike e PKSH-së.

Antarët e tjerë të Shtabit të Përgjithshëm ishin: Myslim Peza, Haxhi Lleshi, Mustafa Xhani (Baba Faja Martaneshi), Dali Ndreu (kapiten), Bedri Spahiu (toger), Ramadan Çitaku, Abaz Kupi (Major) 2), Mustafa Gjinishi, Ymer Dishnica, Sejfulla Malëshova,

Me krijimin e Shtabit të Përgjithshëm lufta e armatosur hyri në një etape të re zhvillimi, ndërsa udhëheqja strategjike e forcave të armatosura u ngrit në një shkallë me të lartë

Shtabi i Përgjithshëm ishte organi me i lartë ushtarak udhëheqës i Luftës dhe i Ushtrisë. Detyrat kryesore të tij ishin që sipas vijës politike të Frontit Nacional Çlirimtar, të organizonte Ushtrinë Nacionalçlirimtare, të realizonte udhëheqjen strategjiko-operative të luftës së armatosur dhe të përpunonte njëkohësisht edhe taktikën e kësaj luftë.

Shtabi i Përgjithshëm, që në fillim mori një sërë masash për organizimin e Ushtrisë së rregullt Nacionalçlirimtare. Ai nxori:

· urdhra, udhëzime e rregullore që përcaktonin ndërtimin organizativ të formacioneve të ndryshme të ushtrisë,
· rrugët dhe format që do të ndiqeshin për formimin e tyre,
· përbërjen e detyrat e çdo reparti, njësie, komande e shtabi
· pajisjen me armatime dhe furnizimin me municione e veshmbathje
· format e metodat e përgatitjes politiko - luftarake të kuadrove e të partizanëve; ndërtimin organizativ të pushtetit ushtarak të prapavijave
· organizimin e popullit të armatosur në ushtrinë rezervë nacionalçlirimtare vullnetare territoriale etj.

Për organizimin e UNÇSH-së Shtabi i Përgjithshëm ndoqi nga afër dhe mori pjese drejtpërdrejt në krijimin e reparteve e të njësive të rregullta të ushtrisë, pra në bashkimin shkallë-shkallë të çetave e të batalioneve partizanë dhe në formimin e grupeve e të brigadave sulmuese.

Organizimi dhe drejtimi i Ushtrisë së rregullt Nacionalçlirimtare shtroi para Shtabit të Përgjithshëm detyrën e udhëheqjes strategjike dhe operative të kryengritjes së përgjithshme të armatosur; detyrën për zbatimin në shkallë me të gjerë e me të organizuar të parimeve e të rregullave të luftës së armatosur popullore partizane si parimi i përcaktimit të goditjes kryesore, i përqendrimit të forcave dhe të mjeteve në vendin dhe kohën e duhur, i organizimit e i bashkëveprimit ndërmjet reparteve e njësive të Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe ndërmjet tyre e forcave vullnetare territoriale për të kryer veprime të shkallës operativo-strategjike etj.

Shtabi i Përgjithshëm përcaktoi rrugët, format e metodat që duheshin përdorur për zgjerimin e mëtejshëm të Luftës së armatosur dhe për rritjen e shtimin e bazave partizane. Ai përcaktoi objektivat strategjikë të ndërmjetëm që duheshin arritur për të plotësuar qëllimin strategjik të luftës, çlirimin e Atdheut.

Detyrat luftarake me karakter strategjik do të zgjidheshin jo vetëm nëpërmjet luftimeve të shkallës taktike, por edhe me anë të operacioneve, me pjesëmarrjen e formacioneve të mëdha të Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Për thyerjen e operacioneve mësymëse të armikut, Shtabi i Përgjithshëm orientoi që të përdorej mbrojtja e manovruar, goditja e tij në krahë e në prapavijë dhe në dhënien e kundërgoditjeve, për ta detyruar atë të mbyllej në qytete. Zgjidhja me sukses e hap pas hapi e këtyre detyrave krijonte kushte për marrjen e nismës operativo-strategjike, për kalimin në kundërmësymje e mësymje të përgjithshme për çlirimin e plotë të vendit.

Shtabi i Përgjithshëm e përqendroi vëmendjen sidomos në taktiken e luftës partizanë, duke përpunuar e përsosur me tej parimet e rregullat e saj. Zhvillimi i taktikës bëhej krahas forcimit organizativ, pajisjes me armatim e teknikë luftarake të formacioneve partizanë dhe nëpërmjet grumbullimit dhe përgjithësimit të përvojës luftarake.

Në themel të taktikës së luftës partizane ishin veprimet me karakter sulmues. Për këtë Shtabi i Përgjithshëm udhëzonte: “Mos me pritë në asnjë mënyrë që ai të na godasë ne, por duhet të jemi çdo ditë në ofensivë, në rrugë, në kazerma, në depo me material ushtarak, dhe kudo ku ka grumbullime ushtarake, karabinierë italianë dhe gjermanë... Në asnjë mënyre dhe asnjë ditë batalionet, çetat e njësitet të mos rrinë duarkryq në fshatrat, këto duhet të jenë kurdoherë në prita për të goditur armikun.” 3)

Tiparet kryesore të taktikës se luftës partizanë u bënë shpejtësia, befasia, vrulli, shfrytëzimi i terrenit, i natës e i motit të keq, manovra, guximi, ruajtja e konspiracionit etj. Metoda kryesore e kësaj taktike do të mbetej asgjësimi pjesë-pjesë i armikut.

Drejtimi strategjik e operativ vihej në jetë nëpërmjet urdhrave, udhëzimeve, qarkoreve, raporteve e relacioneve. Në shumë raste drejtimi bëhej me takime të drejtpërdrejta të anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm ose të përfaqësuesve të tij me komandat dhe kuadrot gjatë zhvillimit të veprimeve luftarake. Shtabi i Përgjithshëm, duke vlerësuar drejtimin si një kusht të domosdoshëm për arritjen e suksesit në çdo veprim luftarak, porosiste komandat dhe shtabet që të siguronin një drejtim të pjekur operativ, të pandërprerë e me shpirt krijues, duke përdorur të gjitha format, mënyrat e mjetet e mundshme. Kjo kërkon nga drejtuesit, udhëzonte ai, që të mos merren me vogëlsira, por të njohin mirë gjendjen si të forcave të tyre, ashtu dhe të armikut, natyrën e terrenit dhe kërkesat e luftës në përgjithësi. Me qëndrimin e tyre udhëheqësit duhet të inspirojnë besim dhe guxim edhe në situatat më kritike.”4)

Shtabi i Përgjithshëm, organizoi forcat e armatosura popullore të përbëra nga repartet dhe njësitë e UNÇSH-se, nga forcat vullnetare territoriale dhe nga forcat e organeve të pushtetit ushtarak të prapavijave.

Pas 24 majit 1944, me unifikimin e Komandës në Komandë të Përgjithshme, me një Komandant të Përgjithshëm në Krye, Shef i Shtatmadhorisë u emërua Gjeneralmajor Spiro Moisiu. Shtabi i Përgjithshëm vijoi të mbetej si një organ i specializuar ushtarak, që kryente detyra të ngjashme si dhe më parë. Me çlirimin e vendit, në dhjetor 1944, ashtu si gjithë UNÇSH-ja, edhe Shtabi i Përgjithshëm iu nënshtrua shndërimeve të domosdoshme për një ushtri të rregullt të kohës së paqes.

1) AQP, Procesverbal i Mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm Nacional Çlirimtar, 4 korrik 1943.
2) Më vonë Abaz Kupi shkëputet nga Lëvizja Nacional Çlirimtare për tu vënë në krye të Lëvizjes së Legalitetit.
3) Dokumente të Shtabit të Përgjithshëm…”, vëllimi 1, bot. 2, Tiranë, 1976, f. 32.
4) Po aty, f, 481