Shërbimet

Shërbimi i zbulmit (informativ)
Shërbimi i zbulimit (informativ), si një shërbim i domosdoshëm për çdo veprimtari luftarake, kishte fituar një përvojë të mirë qysh gjatë fazës së parë të luftës, megjithëse në pikëpamje organizative ishte në format fillestare.

Me krijimin e Shtabit të Përgjithshëm dhe me organizimin e UNÇSH-së, shërbimi informativ u vu në baza më të mira organizative. Pranë Shtabit të Përgjithshëm u krijua Shërbimi Qendror Informativ, i cili mbante lidhje me zyrat e informacionit të krijuara pranë komiteteve qarkore të Partisë.

Në Shtabin e Zonës 1 Operative dhe në shtabet e qarqeve, sipas udhëzimit të Shtabit të Përgjithshëm të shtatorit të vitit 1943, filloi organizimi i seksionit informativ ushtarak dhe i rrjetit informativ i drejtuar nga një oficer.

Shtabet e qarqeve dhe komandat e vendit krijuan nyjat dhe qendrat e informacionit në disa qendra të banuara, në pikat kyçe e gjatë rrugëve të komunikacionit.

Në brigada e batalione u organizua seksioni informativ, zakonisht me një oficer. Shërbimi informativ drejtohej nga komisari ose zëvendës komisari, shpesh edhe nga komandanti. Për kryerjen e detyrave të zbulimit ngarkoheshin gjithë partizanët, por më shpesh caktoheshin luftëtarë të zgjedhur, me të cilët krijoheshin patrulla e grupe zbulimi me përbërje 3-4 veta deri skuadër partizane.

Një burim me vlerë informacioni ishte edhe bashkëveprimi i drejtpërdrejtë i komandave partizane me organizatat e Partisë, të gruas e të rinise në terren, me këshillat nacionalçlirimtare dhe me komandat e vendit. Në kuadrin e këtij bashkëveprimi, ngarkoheshin me detyra zbulimi të rinj, gra e vajza, fshatarë etj. Në këtë mënyre zbulimi i armikut u be masiv, popullor, si tipar i rëndësishëm i vetë luftës. Në shërbim të zbulimit strategjik vepronte një rrjet i tërë informatorësh, i futur e i organizuar në administratën e armikut, deri në Ministrinë e Punëve të Brendshme e në komandaturën gjermane.

Ky organizim e drejtim, i përqendruar në shkallë strategjike, ishte një nga faktorët e rëndësishëm për zbulimin në kohë e mirë të armikut, për të ndërmarrë veprime të suksesshme luftarake, për të përballuar operacionet e pushtuesve.

Shërbimi i ndërlidhjes.
Organizimi i UNÇSH-së dhe shtrirja e veprimtarisë luftarake të saj kërkonte një ndërlidhjè të shpejte e të qëndrueshme nga qendra në bazë, brenda vetë formacioneve partizane dhe krahinave të ndryshme të vendit.

Mungesa e mjeteve teknike kushtëzoi që edhe gjate fazës së dytë të përdorej ndërlidhja me lajmëtarë, me sinjale dhe me takime personale. Në një shkallë më të vogël u përdor edhe ndërlidhja me telefon, duke shfrytëzuar rrjetin telefonik krahinor. Në shtabet e qarqeve, të zonës, në grupe e në brigada kishte përgjegjës të posaçëm për këtë shërbim.

Forma kryesore dhe me e sigurt ishte ndërlidhja me lajmëtarë. Për këtë, në formacionet e UNÇSH-së u caktua një numër lajmëtarësh. Si rregull, pranë shtabit të brigadës kishte 3 - 4 lajmëtarë, pranë batalionit 2 - 3, në kompani. Ata zgjidheshin nga luftëtaret më të vendosur, më trima, më të aftë fizikisht dhe që e njihnin mirë terrenin. Nëpërmjet lajmëtarëve dërgoheshin urdhra, raporte e informacione me shkrim. Ne raste të veçanta, në varësi nga gjendja, njoftimet dhe urdhrat transmetoheshin edhe me gojë.

Me kalimin ne veprime luftarake në hapësira të mëdha dhe me ndryshimin e shpejtë të situatave, në disa raste, ndërlidhja me lajmëtarë sillte edhe vonesë në vënien në kohë të detyrave dhe në njoftimin e ndërsjellë. Për të mënjanuar këto raste, Shtabi i Përgjithshëm krijoi në vende të caktuara pikat e përparuara për grumbullimin e informatave dhe dhënien e udhëzimeve, masë kjo që e lehtësoi dhe e shpejtoi lidhjen e tij me shtabet e njësive dhe të reparteve. Veç kësaj, Shtabi i Përgjithshëm i kushtoi kujdes funksionimit të ndërlidhjes telefonike.

Në kushtet e luftës partizane, kur njësitë e repartet e UNÇSH-së manovronin e vepronin në zona të gjera dhe në mungesë të bazës materiale, ndërlidhja telefonike nuk mund të organizohej brendapërbrenda reparteve e njësive. Prandaj Shtabi i Përgjithshëm këtë detyrë ua ngarkoi shtabeve të qarqeve dhe pushtetit ushtarak të prapavijave, të cilët do ta shfrytëzonin ndërlidhjen telefonike për vete dhe në të mirë të formacioneve të UNÇSH-së.

Kështu, filloi të organizohej e të vihej në përdorim një sistem i thjeshtë i ndërlidhjes telefonike në disa zona të vendit, sidomos në zonat e lira. Qendra të rrjetit telefonik kishte në Ballhaxhias të Pezës, në afërsi të Voskopojës, në pyllin e Bakullit e në çezme të Vogël të qarkut të Korçës, në Çorovodë, në Kuç, në Gusmar e Poliçan të Zonës 1 Operative etj. Ky sistem u ngrit kryesisht duke përshtatur rrjetin telefonik ekzistues, por edhe me shtrirjen e pjesshme të disa linjave të reja me materiale që i ziheshin armikut. Me gjithë mangësitë e natyrshme që pati ndërlidhja telefonike në këtë i fazë fillestare, në ato krahina ku u ngrit, dha mundësi për komunikim të dyanshëm, duke sjellë përmirësime të ndjeshme në drejtimin e veprimeve luftarake.

Përdorim të gjerë gjeti edhe ndërlidhja me sinjale. Kjo formë u përdor brenda reparteve për njoftimin e vënien në gatishmëri luftarake të forcave vullnetare territoriale, për mbledhjen e forcave në një pike të caktuar etj. Zgjedhja dhe caktimi i sinjalistëve, si në repartet e nënrepartet e UNÇSH-së, ashtu edhe në forcat vullnetare territoriale, e rriti më tej efektivitetin e kësaj forme. Sinjalet ishin zanore (me shkrepje armësh, me bomba, me borie, me bilbila me transmetim komandash me zë të ulët etj.) dhe vizuale (me ndezje zjarresh, me tymra, me lëvizje të dorës e të trupit në drejtimet e duhura etj.).

Shërbimi xhenier
Shërbimi xhenier filloi të merrte formë si organizëm i posaçëm me organizimin e UNÇSH-së. Në fillim në organikat e formacioneve të UNÇSH-së nuk kishte nënreparte xheniere dhe detyrat e sigurimit xhenier si kryerjen e punimeve të thjeshta, shkatërrimet dhe minimet, marrjen e masave për maskim, kalimin e pengesave ujore, të atyre me mina etj, i kryenin vetë partizanët. Sipas rastit, për plotësimin e këtyre detyrave, caktoheshin edhe luftëtarë të zgjedhur, me të cilët bëhej një përgatitje paraprake.

Përdorim të gjerë morën shkatërrimet dhe minimet. Për t’iu përgjigjur këtij zhvillimi, Shtabi i Përgjithshëm me 10 prill të vitit 1944 nxori urdhrin për krijimin e nënreparteve minatore, datë që shënon krijimin e armës së xhenios. ”Është nevojë e domosdoshme, — theksohet ne urdhër, — që shtabet e qarkut dhe të brigadave të kenë nga një skuadër minatore, të cilat të jenë të specializuara në përdorimin e hedhjeve të urave e të prishjes së rrugëve.1)

1) “Dokumente të Shtabit të Përgjithshem...” vëlll. 1, Tiranë, 1976, f. 313.

Shërbimi i prapavijës
Shërbimi i prapavijës gjatë LANÇ-it përfshinte shërbimin e intendencës dhe atë shëndetësor. Pas organizimit të UNCSH-së, Shtabi i Përgjithshëm në një varg dokumentesh, që zënë fill me “Rregulloren mbi grupet partizane vullnetare të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare” (17gusht 1943) e vuri shërbimin e prapavijës mbi baza më të shëndosha organizative. Në to përcaktohen struktura dhe detyrat e intendencës dhe të shërbimit shëndetësor të formacioneve partizane.

Për drejtimin e shërbimeve të prapavijave, pranë Shtabit të Përgjithshëm ishin organizuar komisariati ekonomik dhe seksioni i shëndetësisë. Shtabi i Zonës I Operative, shtabet e qarqeve dhe formacionet partizane kishin intendencën dhe shërbimin shëndetësor të tyre. Intendenca përbëhej nga intendenti, zëvendësi i tij dhe një numër i nevojshëm njerëzish, kafshësh dhe mjetesh të tjera transporti. Për shërbimin shëndetësor, përveç mjekut, caktoheshin disa infermierë. Në varësi të shtabeve të qarqeve u krijuan shkallë-shkallë një varg deposh, punëtorish e spitale. Komplekse të tilla u krijuan sidomos në Zagori të Gjirokastrës, në Lavdar të Korçës, në Pezë etj.

Detyrat kryesore të shërbimit të prapavijës në UNÇSH ishin: sigurimi me mjete të ndryshme materiale (armatim, municion, ushqim dhe veshmbathje), shërbimi shëndetësor për partizanët e plagosure të sëmurë, transportimi i mjeteve materiale etj. Për plotësimin e këtyre detyrave komandat e formacioneve partizane bashkëvepronin ngushtë me pushtetin ushtarak të prapavijave dhe me këshillat nacionalçlirimtare. Për tërheqjen e ndihmave nga qyteti për në fshatrat e afërt, u krijuan pika grumbullimi. Ky organizim bëri të mundur të përballoheshin detyrat e shërbimit të prapavijës edhe në kushtet e vështira të fazës së dytë të luftës.