Kuadri, armatimi e furnizimi

Zgjidhja e problemeve të kuadrit, armatimit e furnizimit. Organizimi i UNÇSH-së dhe kalimi në kryengritjen e përgjithshme të armatosur, shtroi para Shtabit të Përgjithshëm nevojën e zgjidhjes së mjaft problemeve si të kuadrit, armatimit, furnizimit etj.

Gjatë fazës së dytë të kryengritjes së armatosur, kur u organizua UNÇSH-ja dhe po ecej në rrugën e rritjes e të shndërrimit të saj në ushtri të rregullt, nevojat për kuadro erdhën duke u shtuar. Në kushtet e vështira të luftës nuk mund të hapeshin shkolla e kurse të gjata për përgatitjen e kuadrove politike e ushtarake. Shkolla e vetme nga do të dilnin këto kuadro mbetej lufta, në zjarrin e së cilës do të dalloheshin njerëzit me vullnet të fortë, të aftë e organizatorë, që duhej të merrnin drejtimin politik dhe ushtarak të batalioneve, të grupeve e të brigadave.

Komiteti Qendror i PKSH-së dhe Shtabi i Përgjithshëm kritikonin atë kuptim të ceket që shfaqën disa komanda repartesh, të cilat kërkonin t’u dërgoheshin komandantë e komisarë nga terreni ose nga repartet e tjera partizane. “Na duket se nuk e keni kuptuar hala - i tërhiqte vërejtjen Shtabi i Përgjithshëm komandës së batalionit të Dumresë - që batalionet e çetat janë burimet e vërteta të komandantëve, të nënkomandantëve dhe të drejtuesve politikë, si komisarë dhe zëvendëskomisarë. Kush mund të nxjerrë udhëheqës më të mirë politikë se grumbullimet në batalione e në çeta që janë kurdoherë në luftë e në përpjekje.”1) Kjo vijë politike e drejtë dhe e guximshme, bëri që të ngriheshin e të caktoheshin në përgjegjësi me qindra kuadro nga radhët e partizanëve të thjeshtë, nga punëtorët, zejtarët, fshatarët e varfër e të mesëm dhe nga intelektualët patriotë etj. Kështu formacionet e UNÇSH-së u plotësuan me komandantë e komisarë që drejtuan me zotësi repartet e njësitë në fushën e luftës. Forcimi i UNCSH-së si ushtri e rregullt popullore dhe zhvillimi me sukses i veprimeve luftarake prej saj lidhej edhe me sigurimin materialo--teknik, që përbënte një ndër detyrat e rëndësishme të strategjisë. Si edhe më parë, burimet kryesore për plotësimin e kësaj detyre ishin populli dhe armiku. Në themel të kësaj detyre u vu parimi i mbështetjes në mundësitë e brendshme.

Shtabi i Përgjithshëm porosiste që në fillim - Duhet shtënë mirë në mend dhe duhet kujtuar që ne e kemi filluar luftën pa pas ndihma të tjera veç atyre të popullit dhe duhet të dimë se do ta vazhdojmë atë deri në fund duke qenë të bazuar vetëm në këto ndihma.2)

Komiteti Qendror dhe Shtabi i Përgjithshëm u kujtonin organeve të Partisë dhe komandave të formacioneve partizane se bazën kryesore për ushqimin, veshmbathjen, mjekimin dhe strehimin e partizanëve e përbënte populli. Në kushtet e varfërisë së popullit tonë, edhe furnizimi i formacioneve partizane bëhej në sasi minimale, të përafërta me nivelin e jetesës së popullit, që rrezikohej të pakësohej gjatë operacioneve të armikut. Me zgjerimin e luftës dhe me forcimin e pushtetit të këshillave nacionalçlirimtare, filluan të shfrytëzoheshin më gjerësisht edhe rrugë të tjera si blerjet me të holla dhe konfiskimet e pasurive të tradhtarëve dhe të bashkëpunëtorëve të armikut.

Për një përdorim dhe administrim më të mirë të materialeve të grumbulluara, për të përballuar situatat e vështira, filloi edhe krijimi i rezervave në depo, të cilat do të ishin të kufizuara e s'mund të plotësonin nevojat gjithnjë në rritje të UNÇSH-së. Prandaj u udhëzua që ato të përdoreshin për rastet më të domosdoshme e me kursim të madh. Duke nisur zbatimin e kësaj forme organizimi të sigurimit material, Shtabi i Përgjithshëm, në letrën që i dërgonte komandës së batalionit të Dumresë, urdhëronte: “... duhet të formoni një ose dy depo në Dumre ku të depozitoni një sasi drithi të mjaftueshme për batalionin tuaj dhe për brigadat. Ky depozitim i fundit... të jetë në dispozicion të Shtabit tonë dhe në asnjë mënyrë të mos preket, përveçse prej një urdhri prej nesh. Depozita e rezervuar për batalionin e Dumresë gjithashtu të mos përdoret përveçse për raste shumë kritike.”3) Depo të tilla u krijuan në Zonën 1 Operative, në qarkun e Korçës, të Elbasanit, në zonën e Pezës etj.

Ndeshjet me armikun, përveç humbjeve të ndjeshme që i shkaktonin atij në forca e mjete, u bënë edhe një burim i rëndësishëm për sigurimin material të forcave partizane në shumë drejtime. Depot dhe forcat e tij përbënin një mjet plotësues, për sa i përket furnizimit me ushqim e vesh-mbathje, ndërsa për furnizimin me armatim e municione armiku përbënte burimin kryesor.

Kushte të përshtatshme për zgjidhjen e problemit të armatimit e të municionit në muajt e parë të fazës së dytë të kryengritjes së armatosur, u krijuan me kapitullimin e Italisë fashiste. U pajisën plotësisht me armatime e municione jo vetëm efektivat e formacioneve ekzistuese, por u bë e mundur të krijohej edhe një rezervë. Shtabi i Përgjithshëm udhëzonte që kjo të depozitohej në vende ma sigurta, me zonat e lira, në vendet e thella malore, që nuk përshkoheshin nga rrugë automobilistike. Mbartja e armatimit dhe e municionit në këto zona, paraqiste mjaft vështirësi, por me ndihmën e popullit, ato u tërhoqën nga qytetet e u depozituan nëpër depo.

Në këto rrethana u përmirësua armatosja e UNÇSH-së. Armatimi i këmbësorisë, megjithëse ishte ai i mëparshmi, u shtua në sasi dhe në njëfarë mase u njësua kryesisht me armatim italian. Përmirësime pati sidomos në armatimin e artilerisë. Batalionet partizane u pajisën me mortaja. Në brigada u krijuan kompanitë e mortajave dhe bateritë e topave malorë 47/32 dhe 75/13 mm, që mbarteshin me mushka. Me topa malorë u pajisën edhe grupet partizane. U futën në armatim dhe filluan të përdoreshin për herë të parë pushkët kundërtanke 20 mm. Këto përmirësime nuk mund ta zgjidhnin përfundimisht problemin. Në kushtet e luftës partizane, të lëvizjeve të vazhdueshme të formacioneve tona nga një zonë në tjetrën. Ishte e vështirë të tërhiqej pas një sasi e madhe municioni dhe materiali luftarak. Ndërkohë rezerva e krijuar me municion nuk mund të përballonte për një kohë të gjatë luftimet e përditshme me armikun. Prandaj komandat e formacioneve partizane tregonin kujdes të veçantë që në luftime, përveç asgjësimit dhe dëmtimit të forcave dhe mjeteve të armikut, të përmbushej edhe detyra tjetër e rëndësishme, rrëmbimi i bazës materiale.

Duke zbatuar me konsekuencë parimin e mbështetjes në forcat e veta, PKSH-ja nuk e përjashtonte ndihmën materiale të aleatëve, të cilët ishin të detyruar të ndihmonin popullin tonë dhe UNÇSH-në në kuadrin e koalicionit antifashist. Shtabi i Përgjithshëm dhe komandat e formacioneve partizane, pranë të cilave kishte misione angleze, u munduan të tërhiqnin ndihmat e premtuara. 4)

1) “Dokumente të Shtabit të Përgjithshëm..”, vëll. 1, Tiranë, 1976, f. 153-154.
2) Po aty, f. 39.
3) “Dokumente të Shtabit të Përgjithshëm..”, vëll. 1, Tiranë, 1976, f. 194.
4) Shtabi i përgjithshëm porosiste komandat partizane: “Mos u gënjeni aspak mga premtimet e tyre. Ata kanë fjalë boll, por asgë s’vjen. Ndihma në të holla s'po japin fare. Ndihmat që kanë dhënë deri tani janë qesharake...” – Enver Hoxha, “Veprat”, vëll. 2, botimi i dytë, Tiranë, 1984, f. 108