Organzimi i forcave vullnetare territoriale

Forcat vullnetare territoriale ishin një masë e madhe e popullit të armatosur, të cilët të rreshtuar në formacione vullnetare, përbënin një rezervë të fuqishme të Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Tërheqja e këtyre forcave në veprime luftarake të përbashkëta me forcat e ushtrisë së rregullt, i dha luftës së armatosur karakter të thellë popullor. Ato do të luanin një rol të rëndësishëm në ecurinë e luftës, në ndihmë të UNÇSH-së.

Pas krijimit të Shtabit të Përgjithshëm, organizimi i forcave territoriale u përsos më tej. Nga çetat vullnetare të një fshati u kalua në krijimin e batalioneve territoriale të një krahine. Batalioni përbëhej nga disa çeta. Çdo luftëtar, burrë ose grua, e siguronte armën e vetë në luftë e sipër. Cdo çetë e batalion kishte komandantin dhe zëvendëskomandantin, të cilët zgjidheshin nga luftëtarët e çetës (batalionit) dhe, në raste të veçanta, emëroheshin edhe nga lart. Çeta mbante emrin e fshatit, ndërsa batalioni emrin e krahinës. Forcat territoriale administrativisht vareshin nga komandat e vendit, ndërsa ushtarakisht vareshin drejtpërdrejt nga shtabet e qarqeve (të zonës).

Forcat vullnetare territoriale vepronin duke bashkëvepruar me formacionet e Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Ato mblidheshin kur rreziku nga armiku ishte i afërt dhe kur forcat e UNÇ-së kërkonin ndihmën e tyre. Ato, sipas gjendjes luftarake dhe në varësi nga terreni, vepronin brenda krahinës së tyre, por edhe në krahinat e afërt/a. Zakonisht forcave territoriale u caktohej një sektor ndihmues. Në disa raste brenda sektorit të një batalioni territorial vepronte edhe një kompani e ushtrisë së rregullt. Për bashkërendimin më të mirë të veprimeve luftarake, komanda e çetës vendosej në një vend me komandantin e skuadrës së ushtrisë së rregullt, ndërsa komanda e batalionit formonte një komandë ose shtab të përbashkët me komandën e kompanisë për aq kohë sa do të zhvilloheshin veprimet luftarake.

Kur forcat territoriale grumbulloheshin për të plotësuar detyra luftarake, ato u nënshtroheshin të gjitha ligjeve dhe rregulloreve të Ushtrisë së rregullt Nacionalçlirimtare, ndërsa kur ishin të shpërndara zbatonin rregulloret e komandës së vendit.