Përgatitja politiko-luftarake në formacionet e UNCSH-së

Përgatitja politiko-luftarake në formacionet e UNCSH-së. Me krijimin e Shtabit të Përgjithshëm dhe me organizimin e UNCSH-së, përgatitja politike e ushtarake u vendos mbi baza të shëndosha organizative. Ajo përbënte një faktor mjaft të rëndësishëm, pasi nga shkalla e cilësisë formimit politik dhe e aftësive ushtarake varej efektiviteti i detyrave politiko-luftarake të UNCSH-së.

Duke synuar që Ushtria Nacionalçlirimtare të ishte një ushtri politike e revolucionare, detyra kryesore e punë së celulave të Partisë në formacionet partizane ishte puna ideopolitike, edukimi i luftëtarëve dhe i kuadrove me ideologjinë marksiste-leniniste. Partia Komuniste duke vlerësuar rolin e faktorit moralo-politik për fitoren në luftë, tregoi kujdes të madh që puna politike të kishte përparësi në Ushtrinë Nacionalçlirimtare. Efektivitetin e saj e rriste shumë qenia në formacionet e UNÇSH-së e komisarëve dhe e zëvendës komisarëve, puna e të cilëve u bë faktor i rëndësishëm për të kalitur ndërgjegjen dhe disiplinën e fortë në formacionet partizane, për të brumosur në radhët e luftëtarëve dhe te kuadrove cilësi të larta morale si disiplina, trimëria, dashuria shoqërore, nisma, vetëmohimi, qëndrueshmëria, konspiracioni etj., si kusht vendimtar për të rritur frytshmërinë e veprimeve luftarake në fushën e luftës. “Në qoftë se partizanët i formojnë të gjitha këto cilësi në luftë, - theksonte Shtabi i Përgjithshëm, - atëherë mund të presim rezultate të mira, pse me pasjen e këtyre virtyteve fuqitë e vërteta të njësive bëhen shumë më të mëdha. Virtytet gjithashtu janë elementi i fuqisë së vërtetë të njësisë, siç janë dhe numri i njerëzve e armatimi, e lirisht mund të thuhet se rëndësia e tyre është më e madhe se rëndësia e armatimit dhe e madhësisë së numrit.”1)

Edukimi ideopolitik kryhej me të gjitha format e metodat e mundshme: me biseda, me konferenca, nëpërmjet mësimeve të ndryshme, punës kulturore-artistike e arsimore, nëpërmjet gazetave të xhepit, buletineve si dhe të organeve të posaçme të shtypit. Më shumë përdoreshin konferencat e bisedat, sidomos puna kokë më kokë me njerëzit. Rëndësi e veçantë i kushtohej luftës kundër analfabetizmit. Për edukimin ideo-politik të kuadrove përdoreshin me pikësynim përhapja dhe studimi i literaturës marksiste-leniniste, i artikujve dhe i proklamatave të Partisë, shumica e të cilave janë shkruar nga vetë Enver Hoxha, zhvillimi i seminareve teorikë etj.

Shtabi i Përgjithshëm i kushtoi kujdes përgatitjes luftarake, sepse nëpërmjet saj synohej që të zhdukeshin disnivelet që ekzistonin ndër-mjet partizanëve në njohuritë ushtarake dhe ata, brenda një kohe sa më të shkurtër, të përvetësonin ato njohuri teorike dhe të fitonin ato shprehi praktike, që ishin të nevojshme për luftë. Për t‘u futur në luftë të mësuar, Shtabi i Përgjithshëm kritikonte ato mendime që shfaqeshin nga persona të veçantë, se nuk kishin kohë për t’u stërvitur dhe se përvoja e fituar në luftime ishte e mjaftueshme, “Koha do të gjendet, - theksonte Shtabi i Përgjithshëm, - dikur pak e dikur shumë dhe në qoftë se mënyra e ushtrimit u përshtatet kushteve të disponuara do të ketë përfitim e përfundimet më të mira që mund të mbërrihen.”2)

Gjatë fazës së dytë të kryengritjes së armatosur rrethi i lëndëve të përgatitjes luftarake u zgjerua dhe përfshinte: përgatitjen rreshtore, taktike, të zjarrit, shërbimin e garnizonit, të ndërlidhjes, fortifikimin fushor, si dhe studimin e karakterit dhe të veprimit të armëve të ndryshme. Ndër to, u jepej përparësi përgatitjes taktike dhe asaj të zjarrit. Për përgatitjen ushtarake të kuadrove, përveç stërvitjeve e mësimeve të përbashkëta me partizanët, organizoheshin seminare e kurse të veçanta me kuadro të rangjeve dhe të specialiteteve të ndryshme. Nëpër të gjitha këto kurse dhe në luftime, - theksonte Shtabi i Përgjithshëm, - është e nevojshme me ushtrue veçanërisht kuadrin ushtarak, për të cilin mund të krijohen, sipas zhvillimit të luftës, kurse speciale ushtarake.”3)]

Një nga format e përgatitjes luftarake, që u ngrit më lart në pikëpamje cilësore dhe që përdorej me efektivitet, ishte përgatitja paraprake për një detyrë të caktuar luftarake dhe analiza pas plotësimit të saj. Përgatitja paraprake bëhej sipas disa varianteve, me qëllim që partizanët të kishin një përfytyrim sa më të plotë për luftimet që do të kryheshin dhe përfundimet e tyre të ishin sa më të mira. Në analizën e veprimit luftarak, vëmendja përqendrohej në disa probleme si e kishte vlerësuar komanda situatën, sa të bazuara ishin vendimet e marra, urdhrat dhe udhëzimet e dhëna dhe si ishin zbatuar ato nga vartësit, si e kishte drejtuar luftimin, cili ishte qëndrimi i partizanëve në luftim dhe çfarë përfundimesh e detyrash dilnin nga veprimi luftarak që ishte kryer etj. I kushtohej kujdes zbulimit të mangësive dhe gabimeve të komandës që më shpesh ndodhnin gjatë situatave të paparashikuara, të cilat janë të shpeshta në luftën partizane. Në taste të tilla, komanda merrte mbi vete peshën më të madhe të gabimeve të bëra, -“Pohimi i gabimeve të veta - udhëzonte Shtabi i Përgjithshëm - do ta bëjë të mundur fitimin e eksperiencës më të madhe dhe do të lartësojë autoritetin e komandës. Vetëm kritika e thellë, e gjithanshme dhe autokritika do ta bëjnë të mundur përparimin e shpejtë.”4)

Autokritika e hapur e komandës i ndihmonte dhe i nxiste partizanët që edhe ata të bënin autokritikë të sinqertë. Analiza e shëndoshë dhe parimore e veprimeve luftarake ishte një ndër format më frytdhënëse të zhvillimit në rrugë të drejtë të edukimit politik dhe ushtarak të kuadrove e partizanëve.

Në fund bë fazës së dytë të kryengritjes së armatosur UNÇSH-ja kishte në gjirin e saj rreth 35.000 luftëtarë të rreshtuar në nëntë brigada sulmuese, përveç shumë grupeve e batalioneve partizane. Kështu PKSH-ja, zgjidhi gjatë fazës së dytë të luftës, një nga detyrat më të rëndësishme të strategjisë, krijimin e ushtrisë së rregullt, popullore, të organizuar dhe të drejtuar nga komandat e shtabet, të cilat, nën udhëheqjen e organeve dhe të celulave të Partisë, vepronin në bazë të një plani të caktuar operativo-strategjik, si domosdoshmëri për të luftuar e fituar kundër një ushtrie të rregullt e të fuqishme në pikëpamje ushtarake, siç ishin ushtritë armike që kishin pushtuar vendin tonë. ”Krijimi i Ushtrisë sonë Nacionalçlirimtare, - ka deklaruar Enver Hoxha në Kongresin e Përmetit, - në kondita kaq të vështira në një periudhë lufte të tmerrshme, është një shembull i rrallë në histori.” 5)

1) Dokumente të Shtabit të Përgjithshëm...-», vëll. I, Tiranë, 1976, f. 61
2) Po aty, f. 54
3) Dokumente të Shtabit të Përgjithshëm..".», vëll. I, Tiranë, 1076, f. 54
4) Po aty, f. 55
5) ENVER HOXHA, “Veprat”, vëll. ll, botim i dytë, Tiranë, 1984, f. 314